Miresevini
  Kuzhina
 

Written by admin   

Monday, 02 April 2007

1.   Byrek me spinaq;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell 3 gota uji, uje 300 gram, spinaq 1 kg, vezë 1 kokërr, djathë 100 gram, vaj 1/2 filxhan caji, kripë, piper

 

Në tavolinë ose tepsi hidhet miell, në mes hapet gropë ku hidhet ujë me pak kripë. Për 1 kg miell merret 550-600 gram ujë, megjthëse kjo varet nga lagështia e miellit. Duke e përzier nga mesi, zihet një brumë i fortë i cili punohet për 10 minuta, ndahet në kuleçë, mbulohet me picetë të lagur dhe lihen për 20-30 minuta që të fitojë elasticitet. Nga çdo kulaç bëhen petë të vogla, secila prej tyre spërkatet me niseshte dhe vendosen 3-4 copë mbi njëra tjetrën, pastaj hapen petët e zakonshme. Spinaqi për mbushje pastrohet, lahet dhe përvëlohet për 2-3 minuta në ujë të vluar e kripë, kullohet duke e shtrydhur, pritet dhe përzihet me djathë të thërmuar e vezë, shtohet kripë, piper dhe shtrohet në petë. Në tepsi të lyer me yndyrë shtrohet gjysma tjetër e petëve, duke i spërkatur secilën me yndyrë, mbi to shtohet mbushja e përgatitur dhe mbulohet me pjesën tjetër të petëve të spërkatura me yndyrë. Anët mbështillen nga brenda. Byreku spërkatet me yndyrë dhe piqet.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

2.   Fërgesë Tirane

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Speca 8-10 copë mesatare, domate 4-5 kokrra mesatare, yndyrë për skuqje, 2 filxhanë kafeje, miell 1 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, hudhra 4-5 thelpinj, gjizë 4-5 lugë gjelle, spec djegës sipas dëshirës

 

Specat pastrohen nga bishti dhe farat, lahen dhe skuqen. Në yndyrën e mbetur hidhet domatet e qëruara nga cipa dhe të grira hollë, kaurdisen derisa masa të trashet, hiqet nga zjarri i hidhen vezë, spec djegës, majdanoz i grirë hollë, gjizë ose djathë.

Masa vendoset në pjatë dhe sipër vendosen specat e fërguar.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

3.   Fli Kosove

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Per brumin duhet: 1 kg miell, 3-4 gota ujë, kripë,

Per masën duhet: 200 gr gjalpë, 2 filxhana caji ajkë, 3 lugë vaj.

 

Në një enë hidhet miell, kripë, ujë i ftohtë dhe përzihen në një brumë të hollë si për petulla. Në një enë tjetër shkrihet gjalpë, ajkë, vaj dhe qumësht, përzihet masa e krijuar derisa të gjithë përmbajtësit të jenë skrirë në një masë të vetme, Lyhet tepsia me yndyrë dhe me një lugë merret brumi i hollë dhe hidhet nga cepi i tepsisë deri afër mesit dhe krijohen rradhë të cilat mbulojnë gjithë tepsinë. Mesi i cili është bosh mbushet me rradhë paralele .(shih skicën) Gjithë sipërfaqja lyhet me masën e përgatitur dhe futet në furrën e ngrohur. Kjo piqet për 3-5 minuta. Nxirret nga furra për të vazhduar me rendin tjetër. Brumi i hollë tashmë hidhet në të njëjtën mënyrë por midis dy rradhëve derisa të jetë mbuluar e gjithë tepsia. Përsëri lyhet me masën dhe piqet për 3-5 minuta. Kjo procedurë vazhdon derisa të mbushet tepsia. Flia lihet të ftohet për 10 minuta dhe serviret me kos, djathë ose mjaltë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

4.   Oshmare Korçe

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell misri 3 filxhanë çaji, qumësht 4-5 filxhanë caji, djathë 2 filxhanë kafeje, gjalpë 2-3 lugë gjelle, kripë.

 

Në një enë me gjalpë, djathi skuqet pak, hidhet qumësht dhe pasi merr valë i hidhet miell misri, përzihet me shpejtësi që të mos krijohen kokërriza dhe piqet derisa të shkëputet nga anët e enës dhe të dalë yndyra.

Vendoset në pjatë lugë-lugë dhe shërbehet e ngrohtë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

5.   Lakror me miell misri

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell misri 2 gota uji, ujë 2 gota, pak kripë, spinaq 1 kg, vaj 2-3 lugë gjelle

 

Mielli i misrit hidhet në një tenxhere me ujë të vluar me pak kripë dhe përzihet derisa të bëhet një llapë e trashë. Hiqet nga zjarri dhe shtrohet në tavë të lyer me yndyrë. Mbi këtë shtrohet mbushja e përgatitur si për byrek me spinaq, sipër hidhet nje shtresë e hollë miell misri.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

6.   Paçe Koke;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Lëng koke 1 litër, gjalpë ose vaj 1 filxhan kafeje, miell 1 luge kafeje, spec djegës 1/2 luge kafeje, kripë, piper, uthull 2-3 lugë, hudhra 4-5 thelpinj, 1 qepë, karrota 2-3 copë, selino, majdanoz

 

Koka pastrohet, copëtohet, vihet në ujë të ftohtë që të lahet e ti ikë gjaku, pastaj vendoset në tenxhere, mbulohet me ujë të ftohtë dhe vihet ne zjarr. Kur të ketë marrë i hiqet shkuma dhe lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë, duke i hedhur qepë karrota, selino, kripë, piper, dafinë majdanoz. Lihen derisa të jenë zier mirë d.m.th. kur mishi të ndahet lehtë nga kocka. Kullohet, qërohet mishi nga kockat dhe pritet në copa të vogla kubike. Në një tenxhere hidhet yndyrë, pak salcë dhe lëngu i marrë nga zierja e kokës. Kur lëngu të ketë marrë valë, shtohet mishi i zier, pak spec i kuq dhe lihen të ziejnë në zjarr te avashëm edhe per disa minuta duke i hedhur kripë e piper të zi.

Në fund paçes i hidhen hudhra të shtypura me uthull.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

7.   Petulla me kos

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell 2 gota uji, kos 1 gote uji, vezë 1 kokërr, kripë,sodë 1/2lugë kafeje, vaj 2 filxhane kafeje

 

Në një tas porcelani vendosen vezë, kos, kripë dhe yndyrë, rrihen mirë dhe shtohet miell i përzier me pak sodë. Brumi në këtë rast është gjysmë i trashë. Në tigan hidhet pak yndyrë (1/2 lugë gjelle). Kur yndyra të jetë nxehur, hidhet brumi(një lugë gjelle për çdo petull). Largësia nga njëra tjetra duhet të jetë 3-4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet. Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë vendosen në pjatë, spërkaten pak me gjalpë dhe përdoren me sheqer ose serviren me mjaltë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

8.   Manti Kosove

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

1 kg miell, 2 gota ujë te vakët, 2 lugë vaj pak kripë për brumin dhe 600 gr mish I grirë, 3 qepë, kripë, vaj, piper i zi

 

Në tavolinë ose në tepsi hidhet miell, ujë i vakët, vaj, kripë dhe përzihen dhe nga brumi i formuar bëhen 30 kulecë të vegjël. Secili kulac zmadhohet me okllai sa shuplaka e dorës. Lyhen kulecët me gjalpë dhe bashkohen në dhjetëshe. Secila dhjetëshe tëhollohet në një petë të madhe dhe të tre petët bashkohen në një petë të vetme. Peta ndahet në katrorë shahu. Për mbushjet e katrorëve nevojiten mish i grirë, qepë të grira hollë, kripë piper i zi . Masa e përgatitur skuqet në vaj dhe në fund të skuqjes i hidhet pak piper i kuq për ngjyrë. Masa duhet të lihet të ftohet dhe më pas mbushen me të katrorët e përgatitur më parë. Cdo katrore mbështillet diagonalisht nga të katër anët (si zarf) dhe vihen në tepsi për tu pjekur. Mantia piqet një gjysëm ore. Pasi është pjekur mbulohet me një picetë për 10 minuta dhe serviret me kos.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

9.   Trahana

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Për 1 kg miell duhen:

2 gota qumësht, gjalpë 2 lugë gjelle, 1 lugë gjelle kripë.

 

Sitet mielli, hapet një gropë në mes dhe hidhet gjalpë i shkrirë pak por jo i djegur, qumësht dhe kripë. Duke filluar nga mesi e perziejmë brumin duke mos e gatuar shumë por të përzihet aq sa të mos pijë krejt miellin, brumë i fortë dhe i shkriftë. Sipër e spërkatim me miell, e mbulojmë dhe e lemë të vijë për 2-3 ditë. Pastaj e kapim copa dhe e lemë të thahet pak dhe e shkoqim me dorë, e kalojmë në sitë të rrallë e thajmë përsëri. Ruhet në vende të thata pa lagështi e te freskëta. Në tenxhere shkrijmë gjalpin, hedhim trahanane dhe e skuqim lehtë, hedhim ujin e nxehtë, e perziejmë që të mos bëhet kokrra, shtojmë djathë të thërmuar ose shëllirë dhe e lëmë të ziej per 10 minuta. Serviret e ngrohtë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

10.   Pastiço me djathë;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Makarona 300 gram, vezë 2 kokrra, djathë 100 gram, qumësht 1 e 1/2 filxhan çaji, kripë, piper, gjalpë e djathë kackavall të grirë 1 lugë gjelle.

 

Makaronat spageti ziejnë në ujë të vluar me kripë për 10-15 minuta. Kullohen, shpëlahen,kullohen përsëri mirë dhe hidhen ne tavë, shtohen djathë i bardhë i thërmuar, një pjesë e gjalpit, vezë, pak qumësht, piper i zi dhe të gjitha këto përzihen mirë, shtrohen në tepsi të lyer me yndyrë, përsipër hidhet salcë bardhë, spërkatet me gjalpë e djathë kackavall dhe piqet në furrë për 25-30 minuta.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

11.   Musaka me patate

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Patate 1 kg, qepë 5-6 kokrra mesatare, yndyrë 3-4 filxhane kafeje, domate 4-5 kokrra ose 1 lugë gjelle salce, kripë, piper, dafinë

 

Patatet me madhësi mesatare qërohen, lahen dhe priten në feta të rrumbullakta, me trashësi 5-7 mm. Patatet skuqen derisa të krijohet një kore e lehtë. Qepa e prerë në formë gjysmërrethi skuqet me yndyrë në zjarr të javashëm në menyrë që të mos digjet, por të zbutet. Këtu hidhen domate të qëruara në copa kubike, pak salcë, vazhdon kaurdisja edhe pak, shtohet kripë, piper flete dafine. Në tavën e lyer me yndyrë shtrohet një shtresë patatesh të skuqura, mbi to gjysma e qepës, përsëri nje shtresë tjetër patatesh dhe pastaj pjesa tjeter e qepës. Mbi këto prapë shtrohet një pjesë patatesh. Në një enë kaurdiset miell me pak gjalpë, shuhet me gjumësht, përzihet mirë derisa të marrë valë, hidhet kripë dhe lihet masa të trashet. Hiqet nga zjarri ftohet pak dhe perzihet me vezë. Salca e përgatitur hidhet mbi musakanë, spërkatet me gjalpë dhe djathë kackavall. Tava vihet në furrë për tu pjekur për 30 minuta.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

12.   Spinaq me Vezë

 

Pastrohet spinaqi dhe grihet ne 2-3 pjese (fleta e spinaqit).

 

Pasi te kemi vene yndyren te zjarr, hudhet qepa e grire imet dhe zbutet mire, pastaj hidhet spinaqi me kripe dhe te gjitha melmesat dhe fergohet 20 minuta derisa masa e spinaqit te kete rene ne fund te tenxheres dhe te jete zbutur mire. Pasi te zbutet e te fergohet mire, spinaqi hidhet ne nje tepsi dhe masa rrafshohet neper tere tepsine, i hudhen vezet siper (vezet e pa rrahura) dhe futet ne furre per tu pjekur vezet si dhe per te leshuar leng spinaqi. Piqet ne temp te larte per 30-35 minuta.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

13.   Burani

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Spinaq 1kg, oriz 1 filxhan kafeje, vaj 4-5 lugë gjelle, qepë 1 kokërr, salce 1 lugë gjelle, kripë, piper, kopër

 

Spinaqi pastrohet, lahet dhe përvëlohet në ujë të vluar me kripë për 1-2 minuta. Orizi pastrohet, lahet dhe zihet derisa të jetë gjysëm i gatshëm, pastaj i hidhet spinaqi i përvëluar. Veç skuqet qepa derisa të marrë ngjyrë ari, shtohet salce domatesh, piper skuqet dhe pak dhe hidhet në spinaqin me oriz. Të gjitha së bashku ziejnë dhe 10 minuta derisa orizi të jetë gati. Në fund mund ti hidhet kopër ose nenexhik.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

14.   Tavë Elbasani

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Mish 500 g. gjalpë 2 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, kos 3 gota uji, miell 2 lugë gjelle, oriz 1 lugë gjelle,kripë.

 

Tava e Elbasanit përgatitet me mish qengji ose dashi. Po të jete me mish qengji ai piqet drejtëpërdrejtë ndërsa me mish dashi zihet më parë. Mishi pritet në thela, vendoset në tepsi, i hidhet përsipër gjalpë dhe futet në furrë ose në tavë me korent. Herë pas herë i hidhet nga pak ujë që të mos thahet. Pasi të piqet hiqet nga furra.

Në tenxhere me gjalpë kaurdiset pak miell derisa të zverdhet, por jo të skuqet; shtohet lëngu i mishit të pjekur i holluar me ujë, përzihen dhe vlojnë derisa të krijohet një salcë e trashë. Hiqet nga zjarri, ftohet dhe pastaj i shtohen kos, vezë, kripë dhe përzihen mirë. Në tavë hidhet oris gjysmë i zier, radhiten thelat e mishit, sipër hidhet masa e përgatitur, pak gjalpë dhe piqet në furrë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

15.   Dollma me lakër

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Lakër 1kg, mish i grirë 200 gram ose një filxhan çaji, qepë 2 kokrra, oriz 2 filxhanë kafeje, kripë, piper.

 

Lakra e bardhë pastrohet nga gjethet e dëmtuara dhe kocani, vendoset në tenxhere me ujë të vluar dhe kripë dhe zihet për 7-10 minuta derisa të zbutet pak. Pastaj i kullohet uji, i hapen gjethet dhe kërcinjtë e fortë. Në fillim të gjethes vendoset mbushja e cila mund të përdoret me perime të ndryshme si karrota, qepë, selino të përziera me oriz gjysëm të zier ose me kimë të përzier me oriz. Dollmat palosen në formë rruli duke i futur anët nga brenda. Në një tenxhere të cekët ato vendosen në 2 shtresa u shtohet pak ujë dhe lihen në zjarr të avashtë për 30 minuta.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

16.   Comlek me qepë

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Qepë 1 kg, vaj 2 filxhanë kafeje, salcë 1 luge gjelle, verë një filxhan kafeje, hudhër një kokërr, kripë, piper, 2 fletë dafine.

 

Qepujkat (qepët sa një kokërr arre) qërohen dhe të paprera skuqen në tigan me yndyrë e hidhen në tenxhere. Në tigan hidhet një kokërr qepë e grirë hollë, kaurdiset pak, shtohet salcë dhe pasi kaurdisen së bashku shuhen me verë të kuqe ose të bardhë, shtohet kripë, piper, ujë dhe hudhra.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

17.   Gjyveç me patate;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Mish 500 g. patate 1.5 kg. Vaj 4-5 lugë gjelle, qepë 1 kokërr, salcë domate 1 lugë gjelle jo e plotë, kripë, piper i zi, spec i kuq, majdanoz.

 

Mishi pritet në thela, skuqet me qepë, shtohet pak salcë domate ose domate të grira hollë, kripë, piper, dafinë, ujë sa të mbulohet mishi dhe lihet të ziejë në zjarr të ngadaltë.

Ndërkaq përgatiten patatet të cilat pastrohen, lahen, priten në feta të rrumbullakëta me trashësi 1 cm dhe skuqen lehtë me yndyrë.

Në tavë vendosen thelat e mishit, mbi to patatet, kripë, piper, pak spec i kuq dhe në fund lëngu i mishit. Tava lihet në furrë për gjysmë ore. Pasi hiqet gjyveçi, vihet në pjatë dhe spërkatet me lëngun e vet e majdanoz të grirë hollë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

18.   Qofte të fërguara

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Mish 1 filxhan çaji, qepë 2 kokrra, bukë 75 g. (2 feta), vezë 1 kokërr, kripë, piper, majdanoz, miell 2 lugë gjelle, vaj 4-5 lugë, perime sipas dëshirës.

 

Qoftet përgatiten zakonisht me mish lope të përzier me mish derri; në këtë rast ato dalin më të buta dhe më të shijshme

Mishi pritet në copa të vogla dhe grihet në makinë së bashku me qepën dhe hudhrat. Në masën e mishit hidhet vezë, kripë, piper i zi, majdanoz dhe bukë bajate e zbutur me qumësht ose ujë (bukë merret te 25% nga pesha e mishit). Masa përzihet mirë dhe ndahet në qofte; çdo qofteje i jepet forma e rrumbullakët ose ovale, pastaj kalohen në miell dhe skuqen në tigan me yndyrë nga të dyja anët. Duhet pasur parasysh se qofteve gjatë fërgimit nuk u duhet hedhur shumë yndyrë.

Shoqërohen me patate të skuqura, pure patate, perime të tjera të ziera ose të skuqura, pilaf, makarona etj.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

19.   Kukureci;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Zorrë 1 palë, të brendshme 300 g. kripë, piper, spec i kuq, rigon, yndyrë 2-3 lugë gjelle.

 

Zorrët e qengjit pastrohen mirë dhe lahen duke i kthyer nga të dyja anët. Merren mëlçitë, gjëndrat, dhjamërat, gabzerret, mushkëritë dhe priten në copa kubike mesatare. U hidhet kripë, piper i zi, rigon të cilat përzihen, pastaj shkohen me radhë në hell një copë mushkri, një copë gjendër, një copë mushkri e kështu me radhë. Si të jenë shkuar të gjitha të brendshmet në hell pleksen me zorrët sipër duke i mbuluar këto. Kukureci bëhet më i shijshëm kur piqet në hell, mbi prush ose në furrë me zjarr të ngadaltë në mënyrë që të mos përvëlohet. Si të jetë skuqur nga të gjitha anët, hiqet nga helli, vendoset në pjatë dhe i hidhet piper i zi i bluar.

Gjatë pjekjes në furrë spërkaten me lëngun e vet duke i hedhur edhe pak yndyrë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

20.   Pulë me arra;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Pulë 500-600 g. gjalpë 50g. arra 2 filxhane kafeje, hudhra 1 kokërr, uthull 2 lugë gjelle, miell 1 lugë gjelle, kripë, piper.

 

Pula e pastruar dhe e larë pritet në thela, vendoset në tenxhere, hidhet ujë i vluar aq sa të mbulohen thelat, shtohet pak kripë,piper i zi dhe zihet në zjarr të ngadalshëm derisa të bëhet gati.

Në një tenxhere me gjalpë kaurdiset mielli, shtohet lëngu i pulës duke e përzier mirë që të mos krijohen kokrra dhe lihet të ziejë për 2-3 minuta derisa lëngu të trashet. Pastaj hiqet nga zjarri dhe përzihet me arra të shtypura. Salca rregullohet me hudhra të shtypura, uthull, kripë, piper të zi e thelpinj arre dhe mbahet në vend të ngrohtë, por pa marrë valë.

Gjatë servirjes në pjatë vendoset pula e cila mbulohet me salcën e përgatitur. Kjo lloj pule zakonisht jepet pa garniturë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

21.   Kebab i Maleve

 

Ne nje ene te thelle shkrihen 2 luge gjalpe. Shtojme 2 kokrra qepe te grira, i fergojme duke i perzier vazhdimisht. Shtojme 1 luge gjelle pure domatesh si dhe 1/2 kg mish qingji te grire. E gjithe kjo zihet me 1.5-2 gota uje derisa te zieje mishi. Pastaj marrim 2 patate dhe 2 karrota. Keto i presim ne copa te vogla dhe ia shtojme mishit. Pasi ziejne edhe perimet shtojme 1 gote uji bizele. E provojme per kripe dhe e rregullojme sipas shijes. E leme te zieje edhe nje kohe shume te shkurter.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

22.   Sheqerpare;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell 3 gota uji, gjalpë 1 gote, vezë 1 kokërr ose 2 të verdha, sodë një majë luge kafeje, pak vanilje, sheqer 1 gotë uji.

 

Rrihet gjalpi me sheqer, shtohen vezët pjesë-pjesë duke i rrahur vazdimisht dhe në fund hidhet mielli i perzier me sodë. Zihet brumi i cili pritet ne forma dhe shtrohen në tavë të lyer me yndyrë. Lihet të piqet për 20-25 minuta, hiqet nga furra dhe kur të vlohet i hidhet shërbet i aromatizuar me vanilje. Duhet pasur kujdes që shërbeti të mos i hidhet i nxehtë pasi sheqerparet qullosen.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

23.   Shëndetlie;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Miell 3 gota uji , sheqer 1 gotë uji, mjaltë 2-3 lugë gjelle, vezë 2 kokrra, sodë një majë luge kafeje, arra 1-2 filxhanë kafeje, gjalpë 2 filxhanë kafeje, pak vanilje dhe ujë 2 filxhana kafeje.

Për shërbetin:

Sheqer 3 gota uji, ujë 2 gota e gjysëm:

 

 

 Në një enë përzihen mirë vezët sheqeri, mjalti, gjalpi dhe në fund shtohen arra. Pastaj hidhet miell i përzier me sodë. Zihet brumi i cili nuk duhet të punohet shumë që të mos bëhet elastik. Brumi i përgatitur vendoset në tavë të lyer me yndyrë, rrafshohet me dorë, lyhet sipërfaqja me vezë, bëhen disa vija me pirun në formë rombi dhe hidhet shërbet i vakur i aromatizuar me vanilje.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

24.   Tullumba;

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

Për brumin:

Miell 1 gotë, vaj ose gjalpë 2-3 lugë gjelle, vezë 3-4 kokrra, pak kripë e sheqer, ujë trecerek gote.

Për shurupin:

Sheqer 2 gota, ujë 2 gota, vaj për skuqje.

 

 

 Brumi për tullumba përgatitet duke zier në uje miell së bashku me gjalpë ose yndyrë tjetër dhe pas zierjes ky brumë përzihet me sasi të madhe vezësh, Për ti dhënë formën tullumbave përdoret një vegël e dhëmbëzuar. Forma mbushet me brumë dhe vihen të piqen nga të dyja anët në zjarr të nxehtë. Pas skuqjes hiqen nga zjarri dhe hidhen në shërbet të ftohtë ku mbahen 1-2 ninuta. Pastaj hiqen dhe rreshtohen në pjatë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

25.   Fergesë tiranse;

 

 

              Për 4 - 5 persona bëhet kështu:

 

 Kjo mund te behet me melci por edhe me speca jeshile.

Nqs nuk keni gjize shume mire perdoret edhe djathi i bardhe.

Fergesa me melci: Merren melcite pastrohen dhe vihen te kavardisen te tigan. Pastaj shton djathin ose gjizen, pak uje dhe lereni sa te behet mase e trashe mos harroni ta provoni per kripe sepse ndodh ndonje here qe djathi eshte i kripur dhe s'ka nevoje per kripe. Hiqeni nga zjarri dhe hidhini 1 ose 2 vese te rrahura mire dhe pak spec te kuq djeges. Shton pak vaj ulliri siper dhe shijoheni inshalla.(mund t'i shtoni edhe rigon).

Fergesa me speca: Pasi te jene hequr farat dhe bishti specat skuqen jo shume (sepse nuk bejne mire per melcine te skuqurat shume.) I hidhet domate te grira holle ose salce dhe kavardisini pak pastaj hidhni pak uje dhe pak me vone djathi dhe pastaj veze dhe perseri spese djegse dhe vaj ulliri.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

26.   Lulelaker e skuqur me veze;

 

 

              Për 4 - 5 persona bëhet kështu:

 

 Pasi lulelakra pastrohet nga gjethet dhe kercelli dhe shpelahet me uje te ftohte vihet te zihet ne uje me kripe per 20 minuta. Pastaj ndahet ne dege te vogla, sperkatet me piper djath kackavall ose djath te thermuar te bardhe, kalohet ne miell, veze te rrahura dhe skuqet ne tigan nga te dyja anet sa te marrin  nje cipe te kuqe.

Per 1kg lulelaker duhet nje luge e gjysem gjelle me miell, 3 veze, djath sa tua shohi syri, vaji per skuqje, kripe dhe piper.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

27.   Qofte te skuqura

 

Mishi i grire vihet ne nje ene ku e leme te shkrije nqs ka qene ne frigorifer. Pasi eshte shkrire e gjithe masa e mishit te grire, marrim 2 ose 3 kokra qepe dhe i grijme holle. I preziejme bashke me mishin. I hedhim 2 kokra veze, piper, majdanoz e ereza te tjera dhe i perziejme te gjitha bashke me duar. I bejme ne forme ovale ose pete dhe i lyejme me miell nga te dyja anet dhe i skuqim deri sa te marrin nje ngjyre te kuqe. Mos harroni zjarri nuk duhet i forte. Mire eshte te skuqen avash-avash. Keto shoqerohen me patate te skuqura ose te ziera, pilaf, makarona, pure, me sallate etj. Nuk ishte shume e veshtire apo jo?

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

28.   Byreke me djath

 

Petet mund t'i blini te gatshme ose mund t'i beni vet. Petat ndahen ne kater copa per se gjati ne menyre qe te mblidhen harxhet. Merrni kater kokrra veze hidhni djath, pak piper, pak qumesht dhe perzieji bashke ne nje ene. Merrni gjalpe te tretur ne tigan (te jete i ftohur) dhe me nje luge lyeni peten e hapur dhe te ndare. Pastaj hidheni perzierjen e vezes me djathin nga pak dhe filloni mblidheni ne forme trekendeshi. Lyeni taven me yndyre dhe vini me rradhe byreket e pregatitura ne kete menyre.

Keta byreke mund te behen edhe me spinaq ose djath pa harruar erezat si majdanoz e koper, si dhe me mish te grire dhe qepe e domate nqs deshironi. Procedura eshte e njejte. Ju befte mire inshaAllah!

Mund te shoqerohen me supe e sallate. Jane shume te shijshme.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

29.   Tave Kosi Elbasani

 

Tava pergatitet me mish qengji ose dashi, por une e bej edhe me pule. Po te jete me mish qingji ajo piqet direkt, ndersa me mish tjeter duhet te zihet me pare. Mishi qingjit pritet ne thela dhe vihet ne tepsi. I hidhet gjalpe dhe futet ne furre e hiqet. Here pas here hidhet uje nga pak qe te mos thahet. Pasi hiqet nga furra, ne nje tenxhere me gjalpe kaurdiset pak miell deri sa te zverdhet. Shtohet lengu i mishit te pjekur, perzihet dhe vlojne deri sa te trashet si salce. Largohet nga zjarri dhe pasi ftohet i shtohet kos, veze, kripe dhe perzihen mire. Ne tave hidhet pak oriz gjysem i zier, rradhiten thelat e mishit, hidhet masa e pregatiur me pak gjalpe siper e piqet ne furre derisa ne faqe te krijohet nje cipe e kuqe. 

Varianti i dyte eshte me mish pule ose dashi. Zihet pula ose mishi i dashit dhe vihen llokmat ne nje ene. Vihet nje dore oriz ne tenxheren me leng mishi dhe zihet orizi gjysem i gatshem. Ne nje ene hidhni kos, veze, lengun e mishit me orizin dhe i perziejme se bashku. Kini parasysh qe lengu te jete i ftohur kur t'i perziejme se bashku dhe hidhen ne tave. Piqet si me siper.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

30.   Sallate me patellxhane te pjekur

 

Zgjidhen patellxhana te medha, te trashe dhe te bute. Piqen te paqeruara ne furren e sobes ose ne vatren e saj. Pastaj u hiqet lekura dhe tuli qe ngelet grihet holle me thike ose kalohet ne makine rendese. Se bashku ne tulin e patellxhaneve ju mund te grini edhe disa kokra domate dhe speca po te pjekur duke ia hequr edhe atyre lekuren. Gjithe kjo mase e pregatitur vihet ne nje ene  prej porcelani  ose balte dhe duke e perzier  me luge shtohen hudhra te shtypura, vaj ullliri, uthull, majdanos i grire, kripe, piper dhe se fundi sperkatet me vaj ulliri i cili e permison shijen dhe ia shton kalorite sallates. Kjo lloj sallate eshte e leverdishme sepse mund te pregatitet me shumice dhe te ruhet ne frigorifer.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

31.   Tave peshku me hurdha

 

Peshku i pastruar dhe i lare pritet ne copa, i hidhet kripe, piper. Lyhet me miell dhe skuqet ne tigan me yndyre te nxehte, por duhet patur kujdes te mos kuqet shume (sa te marri ngjyre). Hiqet dhe vihet ne nje pjate. Ne yndyren e tepruar ne tigan hidhen hudhra te grira trashe shtohet miell i cili kaurdiset pak pastaj salce domatesh. Te gjitha keto perzihen me njera tjteren shuhen me uthull pastaj shtohet pak uje, kripe, piper e gjethe dafine. Masa hidhet ne tave dhe vihen siper copat e peshkut te skuqura lehte si me siper dhe piqet ne furre 15-20 minuta duke i hedhur pastaj majdanoz i grire holle ne procesin e fundit te pjekjes .

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

32.   Lulelakër në furrë

 

Pasi e lajme mire lulelakren, e ziejme ne nje tenxhere per 5-8 min. Pas zierjes e ndajme dhe e copetojme ne lulka te vogla, te cilat i rendisim ne forme uniforme (rreth e perqark taves). Me pas ne nje tigan pergatisim beshamelen, te cilen do ia hedhim siper lulelakres. 

Per pergatitjen e beshamelit na duhen mjetet e zakonshme qe jane: pak gjalpe, miell, 1 veze dhe qumesht. Konkretisht: Hedhim se pari ne tigan gjalpin, sa te kete filluar shkrirjen i hedhim nje luge miell. I trazojme pak, e kriposim (duhet pasur kujdes mos na formohen kokrra) dhe ne momentin qe fillon te trashet i hedhim pak qumesht (1 filxhan). I lene 2-3 min ne zierje dhe me pas e leme ne qetesi, per t'u ftohur pak. Pas 5 min ftohjeje hedhim ne tigan nje te verdhe veze, dhe i trazojme pak. Kur te kene marre nje ngjyre kompakte, e hedhim shtresen bukur siper lulelakres. Ne fund e mbulojme shtresen edhe me pak djath kackavall te grire qe e bem teper krokante. E gjitha kjo shoqerohet ...me nje buzeqeshje!

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

33.   Komposto me kumbulla e kajsi

 

kumbulla dhe kajsite shpelahen, ndahen pergjysme, u hiqen berthamat dhe hidhen ne shurup sheqeri te vluar. Shtohet pak limontoz dhe mbahen ne zjarr sa te marrin vale .

Per kater ose pese persona duhen:

fruta 500 g, uje nje liter per shurupin dhe sheqer nje gote uji, limontoz nje maje luge kafeje.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

34.   Kabuni me rrush të thatë

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

 

 

Oriz 1 gotë uji, lëng mishi 2 gota uji, rrush i thatë 1 filxhan kafeje, sheqer 1 filxhan caji, gjalp 3-4 lugë gjelle.

 

 

 Orizi pastrohet, lahet dhe kaurdiset me gjalpë, pastaj shtohet lëng mishi (mundësisht dashi) ose ujë, rrush i thatë (shpëlahet më parë me ujë të vakët), pak kripë dhe vihet të ziejë. Kur është thithur pothuajse i gjithë lëngu dhe në sipërfaqe janë krijuar vrima, hiqet nga zjarri, përzihet me sheqer, kanellë e karafil të bluar. E mbulojmë me kapak dhe e leme ne nje vend te ngrohte. Masa hidhet në forma ose filxhanë dhe pastaj përmbyset. Për kabuni masa e orizit dhe e lëngut merret si për pilaf të zakonshëm: 1 kg oriz me 2 litra ujë.

 

       Nga SPECIJALISTI

 

--------------------------------------------------------------------------------

 

35.   Patëllxhanë të mbushur

 

 

              Për 4 - 5 persona duhen:

 

 

 

Patëllxhanë 1 kg, qepë 6-7 kokrra ose salcë një lugë gjelle, hudhra 2 kokrra, kripë, piper, majdanoz.

 

 

 Patëllxhanëve u qërohet bishti, u hiqet lëkura në tre rripa sipër dhe nga të dyja anët. Priten për së gjati te pjesa e sipërme deri në mes të tulit. Patëllxhanët vendosen në ujë me kripë për gjysëm ore. Ndërkohë në tigan me yndyrë skuqet qepa e grirë në formë gjysëmrrethi,shtohen domate të qëruara dhe të prere në copa të vogla; vazhdon kaurdisja në zjarr të avashëm në mënyrë që qepa të zbutet. Në fund shtohen hudhra të grira, majdanoz, kripë, piper dhe pak uthull. Patëllxhanet kullohen, shpëlahen dhe skuqen në tigan me pak yndyrë pastaj rreshtohen në tavë, hapen në vendin e prerë dhe mbushen me masën e përgatitur. Sipër u vihet nga një fetë domate.

Shtohet fare pak ujë dhe piqen për një orë në furrë jo shumë te nxehtë

 
  Sot kemi 2 visitors.Ju faleminderit qe e keni vizituar kete webfaqe  
 
=> Do you also want a homepage for free? Then click here! <=